Përmes një statusi të publikuar sot në Facebook, Bujar Osmani ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Çairit.
Në këtë postim, Osmani shkruan se vendimi është marrë pas shumë konsultimesh me njerëzit e afërt dhe pas një reflektimi të thellë. Ai e quan kandidimin e tij jo si një garë për pushtet, por si një përgjegjësi ndaj shtëpisë së përbashkët – Çairit.
“Qytetarët e Çairit nuk e meritojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme dhe të pasigurta, nuk meritojnë të injorohen e të nënçmohen,” thekson ai në status, duke shtuar se vendimin për ta marrë këtë hap e ka bërë edhe për të ardhmen e fëmijëve të tij: Eliza, Mali dhe Luani.
Osmani thekson se Çairit i nevojiten ndryshime të thella dhe njerëzore, dhe shpreh bindjen se me ndershmëri, përkushtim dhe punë të përditshme, ky ndryshim është i mundur.
Statusi përmbyllet me një falënderim për të gjithë ata që i kanë dhënë mbështetje gjatë kësaj periudhe dhe me mesazhin: “Na priftë e mbara!”/press7.tv