Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka bërë të ditur se lufta kundër krimit ekonomik, kontrabandës, korrupsionit dhe veprimtarive të tjera të paligjshme mbetet ndër prioritetet kryesore të institucionit.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë periudhës së fundit janë dorëzuar 213 kallëzime penale kundër 443 personave fizikë dhe 160 personave juridikë, ndërsa në 196 raste është konstatuar dëm ndaj Buxhetit në vlerë prej 102 milionë denarësh.
Rezultatet përfshijnë edhe:
* 40 kallëzime penale për kontrabandë;
* 39 kallëzime për mashtrim doganor;
* 85 kallëzime për falsifikim dokumentesh;
* 7 kallëzime për drogë narkotike;
* 7 kallëzime për tregti të paligjshme me armë;
* 103 kallëzime për vepra penale të kryera me 232 automjete.
Dauti theksoi se janë realizuar qindra verifikime ndërkombëtare për origjinën e mallrave, ku në 223 raste janë konstatuar prova të pavlefshme, ndërsa janë hapur edhe 15 hetime financiare kundër personave fizikë dhe juridikë.
“Çdo ditë po zbulohen raste të reja dhe po zbardhen veprimtari të paligjshme. Për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit, mbetemi të përkushtuar që sundimi i ligjit të jetë i barabartë për të gjithë”, theksoi zëvendësdrejtori Mustafa Dauti.

