Kosovë Lajme

Wikoff e komandanti i ri i KFOR-it në veri të Kosovës, vëzhgojnë patrullimet

    Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, dhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, vizituan të enjten veriun e Kosovës.

    Ata vëzhguan pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës gjatë zhvillimit të një patrullimi të përbashkët përgjatë vijës kufitare, ndërsa u takuan edhe me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, për të diskutuar dhe vlerësuar situatën e sigurisë në atë zonë.

    “KFOR-i vazhdon të vlerësojë rregullisht situatën në terren, të angazhohet me të gjitha komunitetet dhe të ruajë gatishmërinë operacionale. Ai mbetet i përkushtuar në përmbushjen e misionit të tij me profesionalizëm dhe paanshmëri”, thuhet në njoftimin e KFOR-it për vizitën.

    Wikoff e Vergori të mërkurën kanë zhvilluar takime me krerë shtetërorë, përfaqësues institucionesh e komunitete.

    NATO të enjten ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme dhe se ka vazhduar të përmirësohet, por ka theksuar se procesi i optimizmit të pranisë dhe strukturës së KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren dhe mund të anulohet ose të kthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë.