Kosovë Lajme

Nagavci: Për krimet e luftës nuk duhet të ketë harresë e as pandëshkueshmëri

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, pas arrestimit të nëntë personave të dyshuar për krime lufte në Komunën e Zubin-Potokut, e që lidhet me rastin e “Grupit të Intelektualëve”, ka thënë se drejtësia mund të vonojë por kërkimi i saj nuk duhet të ndalet.

    Ajo e ka quajtur lajm të mirë arrestimin e këtyre personave derisa ka kujtuar që për këtë rast janë arrestuar edhe katër të tjerë më parë.

    “Ky operacion vjen pas hetimeve dhe gërmimeve të zhvilluara në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave. Deri më tani, përmes analizave të ADN-së është konfirmuar identiteti i tri viktimave nga ‘Grupi i Intelektualëve‘, ndërsa procesi i identifikimit vazhdon. Për këtë rast janë arrestuar më herët edhe katër persona të tjerë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për ta zbardhur plotësisht rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të personave të dyshuar.”, ka shkruar mes tjerash Nagavci në Facebook.

    https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1668265634859932&set=a.466644568355384&type=3&ref=embed_post

    Policia e Kosovës në një komunikatë të përbashkët me Prokurorinë Speciale, më vonë njoftoi se nëntë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë dhe se pas kontrollit në disa lokacione në komunën e Zubin-Potokut, janë gjetur e sekuestruar; telefona mobilë, libreza ushtarake, armë, para të gatshme e prova të tjera.