Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se sot ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet kësaj ministrie dhe Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM), duke krijuar një mundësi të re për avancimin akademik dhe profesional të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas Maqedoncit, përmes këtij bashkëpunimi, ushtarakët e FSK-së do të mund të ndjekin programe universitare dhe studime master në gjuhën angleze në fusha të ndryshme, përfshirë menaxhimin, administratën publike, psikologjinë, teknologjinë, menaxhimin mjedisor, menaxhimin ndërkombëtar dhe qëndrueshmërinë.
“Bashkëpunimi me IBCM-në do të përfshijë gjithashtu organizimin e trajnimeve, seminareve, punëtorive dhe projekteve të përbashkëta, duke mundësuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale.
Ushtria që po ndërtojmë nuk mbështetet vetëm në aftësitë dhe përgatitjen ushtarake, por edhe në dije, lidership, profesionalizëm dhe mendim strategjik. Prandaj, investimi në arsimimin dhe zhvillimin profesional të ushtarakëve tanë është investim i drejtpërdrejtë në fuqizimin e FSK-së dhe në të ardhmen e sigurt të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, ky memorandum përbën një tjetër hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një force moderne, profesionale dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.

