Kosovë Lajme

PDK-ja pritet të dorëzojë sot në kuvend nismën për ndryshimin e ligjit për Specialen

    Partia Demokratike e Kosovës pritet të dorëzojë sot në kuvend propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, mëson nga burime të veta KosovaPressi.

    Kjo nismë legjislative e PDK-së vjen në kohën kur janë shtuar diskutimet politike rreth funksionimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, dy ditë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

    Dhomat e Specializuara shpallën më 16 shtator aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Në dënimet e shqiptuara llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Trupi Gjykues i shpalli ata fajtorë për disa akuza, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas aktgjykimit, Prokuroria e Specializuar nuk arriti të dëshmonte përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik kundër popullatës civile.

    Pas aktgjykimit, PDK-ja ka zhvilluar diskutime për hapat që do të ndërmerren lidhur me Dhomat e Specializuara. Një ditë pas vendimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas njoftimit të qeverisë, Kurti dhe Hamza diskutuan për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit. Në takim u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit.

    Dhomat e Specializuara janë themeluar pas ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Kuvendi i Kosovës.

    Derisa vendimi për dënimin e katërshes së UÇK-së në Hagë u dha “në emër të popullit të Kosovës” nga gjykatësi Charles Smith, është ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Roberth Bosch, që ka thënë se presidenti i ri i Kosovës, mbase mund t’i falë ata.