Kosovë Lajme

Specialja ia vazhdon paraburgimin Veselit dhe Krasniqit, një ditë para aktgjykimit

    Një ditë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit u është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

    Vendimin e ka marrë gjyqtari Charles Smith, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po raporton nga Haga.

    Sipas saj, vendimi është marrë sot, pasi më 15 korrik ishte marrë vendimi i fundit për paraburgimin e tyre.

    Mujku ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një çështje procedurale, pasi sot ishte afati i fundit për marrjen e një vendimi të ri.

    Ajo ka theksuar se Smith kishte mundësi që vendimin ta merrte pas shpalljes së aktgjykimit, e cila pritet të bëhet nesër.

    Ndërkohë, ende nuk ka afate të tjera për të mësuar nëse do të ketë vendim të ri për paraburgimin e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit.

    Nesër në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.