ShowBiz

Video e dhunës bën xhiron e rrjetit, Prokuroria e Pejës kërkon arrestimin e Jozit, në Shqipëri heshtje! Këngëtari: Jemi aktorë

    Ndërkohë, në Shqipëri, pavarësisht se pamjet e incidentit janë bërë publike dhe kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjet, deri më tani nuk është bërë i ditur ndonjë veprim zyrtar nga autoritetet lidhur me rastin.

    KOSOVË- Pas pamjeve të bëra publike dhe që po bëjnë xhiron e rrjetit, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar arrestimin e Joz Markut, pas incidentit të dhunshëm me Edi Kuçin.

    Kërkesa për arrestim është bërë në kuadër të procedurës penale të nisur nga Prokuroria e Pejës, ndërsa lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi Shkodran Nikçi. Sipas tij, prokurori ka hapur një rast penal ndaj Jozefin Markut, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

    “Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K. Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, ka deklaruar Nikçi.

    Sipas Prokurorisë, veprimet janë ndërmarrë bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Konkretisht, në bazë të nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili zbatohet edhe ndaj shtetasve të huaj për vepra penale të kryera jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të saj.

    Ndërkohë, në Shqipëri, pavarësisht se pamjet e incidentit janë bërë publike dhe kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjet, deri më tani nuk është bërë i ditur ndonjë veprim zyrtar nga autoritetet lidhur me rastin.

    Pikërisht, për këtë situatë, një ditë më parë ZËRI ngriti shqetësimin për mungesën e reagimit institucional dhe përgjegjësinë, ndërsa pyetja e madhe qëndron: Ku i buron fuqia Joz Markut?

    Ndërsa në Kosovë Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal, ka autorizuar Policinë dhe ka kërkuar veprime konkrete ndaj tij, në Shqipëri deri tani nuk ka pasur një reagim të bërë publik nga autoritetet.

    E megjithatë, një reagim ka ardhur nga njëri prej protagonistëve të ngjarjes, Jozefin Marku. Ky i fundit, ka thyer heshtjen dhe ka deklaruar për Top Channel: “Asgjë s’ka ndodhur. Jemi aktorë, e kemi bërë vetë”. Gjithashtu, ai ka mohuar edhe lajmet për veprimet e Prokurorisë së Pejës, duke i cilësuar ato “fake”.

    Por, nga ana tjetër, lajmi i Prokurorisë është konfirmuar nga zëdhënësi. Megjithatë, mbetet për të parë nëse autoritetet do të verifikojnë dhe përcaktojnë nëse ngjarja ishte një sulm i vertetë, apo një skenë e inskenuar, siç Jozi pretendon.

    Ndërsa ne na mbetet të presim, jemi vetëm përballë një të vërtete, asaj që shohim kudo në rrjete…video me zë e fytyrë.