Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Bekim Sejdiu, i propozuar për president nga negociatat mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, “nuk i ka fillimet e mira”.
Një ditë më parë, VV-ja dhe LDK-ja e propozuan Sejdiun për president. Por dy partitë tjera shqiptare PDK-ja dhe Aleanca nuk kanë ofruar votë për të. Në LDK deputeti Avdullah Hoti ka dalë kundër dhe kjo komplikon çështjen e numrave. Në dy rundet e para duhen 80 deputetë të jenë të pranishëm në seancën e zgjedhjes së presidentit.
Hamza ka përsëritur se PDK-ja nuk do ta votojë Sejdiun.
Sipas tij, Sejdiu deri tani nuk ka realizuar asnjë komunikim apo diskutim me PDK-në për të kërkuar votë për president.
“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, theksoi Hamza.
I pyetur se a pranon të takohet me kandidatin për president nga LVV-LDK për të marrë garanci se do të jetë unifikues, Hamza tha se tani është vonë për një gjë të tillë.

