Kosovë Lajme

Kurti: Partneriteti me Francën është zhvilluar, këtë vit është konkretizuar

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se partneriteti i Kosovës me Francën është zhvilluar në vazhdimësi, ndërsa që këtë vit është konkretizuar me disa marrëveshje.

    Ai ka përmendur marrëveshjet në drejtësi, arsim e frankofoni, si dhe partneritetin financiar dhe institucional për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

    Postimi i plotë:

    Sot prita në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Francës, Olivier Guérot, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.

    E falënderova për shërbimin e tij dhe kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

    Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Francës është zhvilluar në vazhdimësi, ndërsa këtë vit bashkëpunimi ynë është konkretizuar edhe më tej. Takimi dhe dreka e punës me Presidentin Emmanuel Macron në Pallatin Elize në mars, e më pas vizita e ministrit të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, në Kosovë në korrik, u konkretizuan me pesë marrëveshje dhe instrumente që avancojnë bashkëpunimin në drejtësi, arsim e frankofoni, si dhe partneritetin financiar dhe institucional për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

    Këto rezultate përbëjnë një bazë të rëndësishme për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Franca është aleate dhe partnere e rëndësishme e Kosovës dhe mbështetja e saj për rrugën tonë evropiane dhe integrimin euroatlantik mbetet me rëndësi të veçantë.

    Ambasadorit Guérot i urova suksese në angazhimet e tij të ardhshme dhe mirëseardhje përherë në Kosovë.