Kosovë Lajme

BE-ja përsërit thirrjen për formim të institucioneve

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se shefja në detyrë e BE-së Eva Palatova, e ka pritur në takim lamtumirës kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas njoftimit të BE-së, në këtë takim mes tjerash Kurtit i është përsëritur thirrja për formim të institucioneve të Kosovës dhe tejkalim të ngërçit politik.

    “Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e 🇪🇺 BE-së për formimin e institucioneve të 🇽🇰 Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE. BE-ja është partneri më i fuqishëm i Kosovës!”, thuhet në njoftim.

    Partia që ka fituar zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje është duke negociuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjidhjen e çështjes së presidentit. Edhe pas pesë takimesh, përfshirë edhe atë të mbajtur të mërkurën pasdite, kjo çështje ende nuk ka marrë epilog. Në anën tjetër, Partia Demokratike dhe Aleanca tash e disa ditë në mënyrë të organizuar kanë protestuar para Qeverisë duke i kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, rikthimin në Kuvend dhe konstituimin e institucioneve.

    Afati i fundit i definuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit ishte 7 gushti. Zgjedhja e kryetarit të kuvendit bashkë me pesë nënkryetarët përcillet me rrjedhjen e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit. E në rast se kreu i shtetit nuk zgjidhet, vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve.

    Nëse kuvendi do të konstituohej më 7 gusht, e presidenti nuk do të zgjidhej, zgjedhjet e reja më së largu do duhej të organizoheshin më 15 nëntor.

    Mirëpo, me pamundësimin e konstituimit nga Vetëvendosja, ky afat nuk ka filluar të rrjedhë.

    Deputetë të ish-opozitës pretendojnë se seanca konstituive nuk po përmbyllet edhe për shkak se Kurti po synon ta shtyjë datën e zgjedhjeve deri në fund të dhjetorit, kur diaspora zakonisht kthehet në Kosovë për festat e fundvitit.

    Sipas tyre, kjo do ta favorizonte Vetëvendosjen, e cila në zgjedhjet e kaluara ka marrë pjesën më të madhe të votave të diasporës.