Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se Uashingtoni do të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke e lidhur vendimin me marrëdhëniet e tij me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, si dhe me qëndrimin e Seulit ndaj luftës së SHBA-së kundër Iranit.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trumpi ka thënë se stërvitjet ushtarake janë të kushtueshme dhe se, sipas tij, dërgojnë sinjal “të papërshtatshëm dhe armiqësor”.
Ai theksoi gjithashtu se pjesën më të madhe të kostove e mbulon SHBA-ja.
Trumpi iu referua edhe një kërkese që, sipas tij, i kishte bërë presidentit të Koresë së Jugut për t’iu bashkuar përpjekjeve amerikane për “çarmatosjen bërthamore” të Iranit. Sipas Trumpit, Seuli e kishte refuzuar këtë kërkesë.
Shtëpia Blu presidenciale në Seul tha se po shqyrtonte komentet e Trumpit dhe se shpresonte që marrëdhëniet e mira mes Uashingtonit dhe Phenianit të mund të krijonin mundësi për një dialog me Korenë e Veriut.
Ndërkohë, Koreja e Veriut nuk ka reaguar ende ndaj deklaratave të presidentit amerikan.
SHBA-ja ka rreth 28 mijë e 500 trupa të dislokuara në territorin e Koresë së Jugut.
Deklaratat e Trumpit ndodhin në një periudhë të tensionuar në Gadishullin Korean. Koreja e Veriut ka kryer këtë muaj disa teste me raketa balistike, të ndaluara nga Kombet e Bashkuara.
SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë zbuluar gjithashtu testime të reja raketore nga Pheniani.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut i ka cilësuar stërvitjet amerikano-koreano-jugore si “provë për luftë agresive”.
Në të njëjtën kohë, Pheniani ka intensifikuar programet e tij bërthamore dhe raketore që prej dështimit të diplomacisë së profilit të lartë mes Kim Jong Unit dhe Trumpit në vitin 2019.
Për Seulin, vendimi i paralajmëruar nga Trumpi përbën një mesazh të dyfishtë.
Nga njëra anë, afrimi i mundshëm mes Trumpit dhe Kim Jong Unit rrit shpresat për rifillimin e negociatave me Phenianin. Nga ana tjetër, deklaratat e presidentit amerikan tregojnë pakënaqësi ndaj Koresë së Jugut për mungesën e angazhimit të drejtpërdrejtë në përpjekjet ushtarake të SHBA-së kundër Iranit.

