Kosovë Lajme

Dehari: Vazhdimi i seancës pa marrëveshje mund të çojë në konflikt fizik brenda Kuvendit

    Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të çojë edhe në konflikt fizik brenda Kuvendit.

    “Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari në Facebook.

    Ai ka mirëpritur ftesat për takime të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, si dhe të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, drejtuar partive politike për konsultime. Ftesa deri tash është refuzuar nga PDK-ja dhe Aleanca.

    Sipas Deharit, Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike dhe dialog për të arritur një marrëveshje që do ta zhbllokonte situatën institucionale dhe do të garantonte funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve.

    “Si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual”, ka thënë ai.

    Dehari ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin do të çonte në zgjedhje të parakohshme, skenar të cilin ai tha se duhet ta shmangin.

    “Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka deklaruar Dehari.

    Ai ka rikujtuar se qytetarët e Kosovës janë thirrur tri herë në zgjedhje gjatë dy vjetëve të fundit, duke u bërë thirrje përfaqësuesve politikë që tani të gjejnë një marrëveshje.

    “Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar Dehari.

    Të premten e shkuar ka qenë afati i fundit i definuar nga Gjykata Kushtetuese, brenda të cilit duhej të konstituohej legjislatura e njëmbëdhjetë. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.