Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka propozuar zhvillimin e bisedimeve me Korenë e Veriut për t’i dhënë fund zyrtarisht luftës mes dy vendeve, e cila teknikisht vazhdon ende.
Lee ka sugjeruar krijimin e një “sistemi sigurie shumë-shtresor”, me qëllim parandalimin e përshkallëzimeve përgjatë kufirit de facto mes dy Koreve, të njohur si Zona e Çmilitarizuar (DMZ). Ai gjithashtu ka ofruar diskutimin e mënyrave praktike për të frenuar përparimin e programit bërthamor të Phenianit.
Koreja e Veriut ka vazhduar testimin e raketave balistike, disa prej të cilave janë të afta të mbajnë koka bërthamore. Këto veprime janë parë nga Koreja e Jugut dhe Japonia si përpjekje për të ushtruar presion, për të frikësuar fqinjët dhe për të demonstruar fuqinë ushtarake të Phenianit.
Konflikti në Gadishullin Korean është ngrirë praktikisht që nga viti 1953, kur u nënshkrua një armëpushim. Megjithatë, lufta nuk është mbyllur zyrtarisht me një traktat paqeje. Në dekadat që pasuan, përgjatë DMZ-së ka pasur përplasje dhe tensione të vazhdueshme, ndërsa të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për provokime, përfshirë edhe dërgimin e balonave me mbeturina dhe materiale propagandistike.
Lee, i cili u bë president i Koresë së Jugut vitin e kaluar pas shkarkimit të paraardhësit të tij, Yoon Suk Yeol, ka ndjekur politikë më të orientuar drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Korenë e Veriut dhe aleatin e saj, Kinën.
“Le t’i lëmë mënjanë synimet tona për të kërcënuar njëri-tjetrin dhe të fillojmë diskutimet për t’i dhënë fund kësaj lufte të gjatë, si palët e përfshira drejtpërdrejt”, ka thënë Lee gjatë një ceremonie me rastin e Ditës së Çlirimit, e cila shënon çlirimin e Gadishullit Korean nga sundimi japonez.
Ai shprehu shpresën që dy Koretë “të ulen përballë njëra-tjetrës për bashkëjetesë paqësore dhe zhvillim të përbashkët”, duke shtuar se një forum i tillë mund të shërbejë edhe për diskutimin e “mënyrave efektive për të ndalur avancimin e kapaciteteve bërthamore të Veriut”.

