Shqipëri

“Divjaka Bashki”/ Protesta vijon prej 14 ditësh, banorët kundër shkrirjes me Lushnjën: Nuk tërhiqemi…

    Qytetarët e Divjakës janë mbledhur prej 14 ditë radhazi në protestën kundër reformës administrative-territoriale. Me thirrjen “Divjakë bashki”, protestuesit kundërshtojnë përfshirjen e Bashkisë Divjakë nën administrimin e Bashkisë Lushnjë.

    Qytetarët kanë kërkuar publikisht edhe dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, duke argumentuar se ky hap do të ishte një mënyrë për të ruajtur dinjitetin e tij dhe të qytetit.

    Kjo kërkesë u është drejtuar edhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak, të cilët pritet të mblidhen të premten, në orën 10:00.

    Banorët e Divjakës janë shprehur të vendosur për ta vijuar rezistencën deri në përmbushjen e kërkesës së tyre kryesore, ruajtjen e Bashkisë Divjakë.

    Gjatë marshimit në rrugët e qytetit, qytetarët kanë bërë thirrje edhe për pjesëmarrje më të gjerë, duke kundërshtuar masivisht propozimin e PS-së për shkrirjen e bashkive.