Kosovë Lajme

OVL e UÇK-së: Nderimi i njësive serbe, institucionalizim i mohimit të krimeve të luftës në Kosovë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj nderimit të njësive ushtarake serbe, duke e cilësuar këtë veprim si një akt që, sipas saj, institucionalizon mohimin e krimeve të luftës dhe mbron pandëshkueshmërinë.

    Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së thekson se, përderisa arkivat shtetërore, ushtarake dhe policore të Serbisë vazhdojnë të mbeten të mbyllura dhe nuk zbardhet fati i personave të zhdukur, nderimet për njësitë serbe nuk mund të konsiderohen përkujtim.

    “Nderimi i njësive ushtarake serbe, ndërsa vazhdohet të mbahen të mbyllura arkivat shtetërore të Serbisë dhe të fshihen provat për krimet e luftës, nuk është përkujtim. Është institucionalizim i mohimit dhe mbrojtje e pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagim.

    Më tej, Organizata thekson se e vërteta nuk mund të fshihet “as me medalje, as me nderime shtetërore dhe as me rrëfime të rishkruara”. Ajo kërkon hapjen e arkivave ushtarake dhe policore të Beogradit, si dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

    Sipas OVL-së, heshtja përballë glorifikimit të njësive serbe vetëm sa e ushqen mohimin e krimeve. Organizata rithekson se Kosova do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën dhe llogaridhënien për krimet e luftës, pa kompromis.