Kosovë Lajme

Haxhiu: Instituti të vazhdojë me dokumentimin e krimeve të luftës

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se dokumentimi i së vërtetës është obligim moral ndaj viktimave të luftës, për çka ka paralajmëruar një listë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia.

    Ndërsa ka lavdëruar punën e ekipit të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë në përpilimin e listës së parë të viktimave, Haxhiu ka theksuar se për vite të dhënat ishin të shpërndara në arkiva të ndryshme, në dosje institucionesh e organizatash dhe në dokumentet që familjet i kishin ruajtur vetë.

    “Raporti i paraqitur këto ditë është dëshmia e parë e rëndësishme e këtij angazhimi. Instituti ka nisur ta krijojë evidencën zyrtare të viktimave, ndërsa puna duhet të vazhdojë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës”, ka shkruar ajo në Facebook.

    Më 29 korrik, kur janë bërë 9,909 ditë nga çlirimi prej Serbisë, Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ka publikuar listën preliminare të personave të vrarë, personave të zhdukur me dhunë dhe personave të vdekur si pasojë e luftës. Bazuar në të, të vrarë figurojnë 11,407 persona, të vdekur si pasojë e luftës, 242, e të zhdukur me dhunë mbeten edhe 1,578 persona.

    Lista preliminare përfshin në total 13,227 të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekurit si pasojë e luftës, prej të cilëve 12,230 deri në qershor 1999, e 997 pas kësaj periudhe.