Kosovë Lajme

Haxhiu takon admiralin Wikoff: Anëtarësimi në NATO, synimi strategjik i Kosovës

    Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se e ka pritur në takim komandantin e Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli, George Wikoff.

    Haxhiu ka thënë se në këtë takim është biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, për bashkëpunimin me KFOR-in dhe koordinimin me NATO-n.

    “E falënderova Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, thuhet në njoftimin e Haxhiut në Facebook.

    Wikoff ka takuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova është mirënjohëse për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt në Kosovë.

    “Pas takimit tonë të parë në janar, pata nderin ta pres sërish në Zyrën e Kryeministrit admiralin amerikan George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me admiralin Wikoff biseduam për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s”, ka shkruar Kurti.