Maqedoni

Bekim Qoku: Deputetët satelitë të BDI-së të japin përgjigje për dështimet dhe skandalet e 22 viteve në pushtet

    Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka publikuar një reagim të ashpër ndaj deputetëve që, sipas tij, i kanë shërbyer BDI-së ndër vite.

    Qoku u bëri thirrje qytetarëve që t’i pyesin deputetët satelitë të BDI-së pse, sipas tij, kanë mbështetur një parti të përfshirë në skandale, korrupsion dhe figura të vendosura në Listën e Zezë amerikane, si dhe pse nuk kanë kërkuar përgjegjësi për një sërë ngjarjesh që kanë prekur shqiptarët.

    Në statusin e tij, ai përmend rastin e 27 prillit, ndryshimet në Kodin Penal, si dhe një varg tragjedish dhe aferash, përfshirë rastet “Monstra”, “Lagjja e Trimave”, “Alfa”, vrasjen e Almirit, tragjedinë e spitalit modular në Tetovë, aksidentet me “Durmo Tours” dhe “Besa Trans”, projektin “Shkupi 2014”, enciklopedinë antishqiptare dhe skandalin “Magjar Telekom”.

    Qoku gjithashtu kritikon ish-udhëheqjen e BDI-së dhe Ali Ahmetin, duke i akuzuar për mungesë përgjegjësie politike gjatë 22 viteve në pushtet, ndërsa veçon edhe vendosjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në Listën e Zezë të SHBA-së si një tjetër dëshmi të dështimit të kësaj force politike.