Shqipëri

Seanca e sotme parlamentare, Partia Demokratike vazhdon bojkotin

Screenshot

    Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, në seancë plenare, e cila nis në orën 10:00 dhe pritet të jetë më e gjatë se zakonisht. Edhe në këtë seancë, ashtu siç ishte lënë të kuptohej në deklaratat publike të ditëve të fundit, Partia Demokratike e ka bojkotuar këtë seancë.

    Sakaq, jashtë parlamentit nuk ka pasur as protestë, pavarësisht masave të shumta të sigurisë nga ana e policisë së shtetit. Rendin e ditës e nis një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

    Gjithashtu janë parashikuar për diskutim dhe miratim disa projektligje që lidhen me sektorin e bujqësisë, menaxhimin e kimikateve, akuakulturën dhe mbrojtjen e tokës bujqësore.

    Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë marrëveshje ndërkombëtare, mes të cilave ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit teknik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe marrëveshja e huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila synon rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe zgjerimin e projektit me ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

    Në seancë do të diskutohet gjithashtu projektligji për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, si dhe ndryshime në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”.

    Në axhendë është përfshirë edhe emërimi i një anëtari të Këshillit të Statistikave. Një pjesë e konsiderueshme e seancës do t’i kushtohet miratimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025.

    Mes tyre janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Instituti i Statistikave (INSTAT), Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Enti Rregullator i Ujit (ERRU), si edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).