Rajon

Deputeti shqiptar në Serbi: Do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres Paunoviç

    Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik në Kosovë.

    Kamberi shprehet se deklarata e saj është skandaloze, e papranueshme dhe kërkon reagim. Ai bën me dije se përmes një shkrese ka kërkuar reagim nga të gjitha ambasadat ndërkombëtare në Beograd.

    Kamberi shkruan se për shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarata të tilla nga përfaqësues të institucioneve shtetërore përbëjnë një burim shtesë pasigurie.

    Ndër të tjera njofton se në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres.

    Reagimi i plotë

    Deklaratat fashiste të ministrave të qeverisë tregojnë më së miri se Serbia e Millosheviqit vazhdon të mbetet e njejtë!

    Deklarata e Ministres për Pushtetin Lokal, Snezhana Paunoviç, se po të ishte në vend të Slobodan Miloševi?it do ta spastronte etnikisht Kosovën, është skandaloze, e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.

    Për këtë arsye, sot, nëpërmjet një shkrese zyrtare, kam kërkuar reagim nga të gjitha ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd.

    Një deklaratë e tillë nuk mund të konsiderohet e izoluar. Ajo është rezultat i mohimit sistematik të krimeve të luftës, glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, relativizimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe revizionizmit të historisë.

    Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarata të tilla nga përfaqësues të institucioneve shtetërore përbëjnë një burim shtesë pasigurie. Kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione.

    Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto obligime dhe tejkalojnë çdo standard demokratik mbi të cilin bazohet Bashkimi Evropian.

    Në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres.

    Në të kundërtën, heshtja dhe mungesa e veprimit do të kuptohen si miratim i deklaratës së saj dhe si qëndrim zyrtar i të gjithë Qeverisë.