Sport

Istogu i 77-ti në Evropë me 21 pikë, klubi kosovar më i vlerësuari në Evropë

    Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka publikuar renditjen zyrtare të klubeve evropiane për sezonin 2026/2027, ku KHF Istogu vazhdon të jetë klubi kosovar më i vlerësuar në arenën evropiane.

    Me 21 pikë të grumbulluara, Istogu renditet në vendin e 77-të në klasifikimin e përgjithshëm të klubeve më të suksesshme të Evropës, duke dëshmuar vazhdimësinë e rezultateve dhe paraqitjeve të shkëlqyera në garat ndërkombëtare. Kjo renditje e konfirmon Istogun si klubin më të suksesshëm të hendbollit kosovar në arenën evropiane, duke lënë pas shumë skuadra nga vende me traditë të gjatë në këtë sport.

    Pavarësisht sfidave të vazhdueshme, veçanërisht në aspektin infrastrukturor dhe mungesës së mbështetjes financiare, puna, përkushtimi dhe rezultatet e arritura ndër vite kanë bërë që Istogu të mbetet emri më i respektuar i hendbollit kosovar në garat evropiane.

    Me ambicie për të vazhduar rrugën e sukseseve, Istogu do ta nisë edicionin 2026/2027 të EHF European Cup në fund të muajit gusht, me synimin për ta përfaqësuar edhe një herë denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare.