Shqipëri

Fotot e takimit: A po e fsheh SPAK përfaqësuesin e qeverisë në Aruba?

    Dosja e SPAK ngre dyshimin se trafikantë ndërkombëtarë të kokainës investuan miliona në ndërtim e prona në Shqipëri, me mbështetjen e niveleve të larta politike.

    Për herë të parë, dosja e SPAK-ut dhe materialet e ardhura nga autoritetet e huaja bëjnë të mundur që të ilustrohen me foto takimet në ishullin e famshëm të Arubas, duke hedhur dritë mbi një nga dyshimet më të forta të hetimit: ekzistencën e kontakteve mes grupeve shqiptare të trafikut të kokainës dhe niveleve të larta të pushtetit, lidhje që sipas prokurorëve mund të kenë ndihmuar në depërtimin e parave të drogës në sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare.

    Në vendimin e masës së sigurisë për 20 persona, pjesë të grupit kriminal që furnizonte me kokainë Europën, trafikantët ngrihen mbi nivelin e të fortëve të provincës. Ata shfaqen si struktura të fuqishme transnacionale, me lidhje në Amerikën Latine, porte europiane, laboratorë përpunimi, kompani tregtare fasadë, sisteme pagesash cash, bitcoin dhe haëala, si dhe me miliona euro të gatshme për t’u futur në ekonominë shqiptare përmes ndërtimit.

    Sipas dosjes, aktiviteti i tyre shtrihej nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Surinami, Paraguaji, Uruguai, Porto-Riko dhe Brazili drejt porteve të Antverpit dhe Roterdamit, përmes kompanive të frutave, mishit, qymyrit dhe sojës. SPAK thotë se kokaina fshihej në kontenierë, përpunohej në magazina në Belgjikë dhe Holandë dhe më pas shpërndahej në disa vende të Bashkimit Europian.