Maqedoni

Bekim Qoku: BDI i ka lënë përgjysmë çështjet kombëtare, edhe ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë

    Deputeti Bekim Qoku ka reaguar pas vendimit që lidhet me emërtimin e rrugëve në Tetovë, duke akuzuar BDI-në se ka vepruar vetëm për efekt propagandistik dhe pa i përfunduar procedurat ligjore.

    Sipas Qokut, vendimi i Këshillit Komunal të Tetovës për ndryshimin e emrave të rrugëve në vitin 2007 nuk është përmbyllur asnjëherë sipas procedurave të nevojshme, pasi nuk është miratuar nga qeveria dhe nuk është regjistruar në institucionet përkatëse, si Regjistri Qendror dhe Kadastëri.

    Ai ka krahasuar këtë rast me procesin e riemërtimit të rrugëve në Shkup gjatë vitit 2023, duke theksuar se atje procedura është realizuar plotësisht dhe në përputhje me ligjin.

    Në reagimin e tij, Qoku ka kritikuar ashpër edhe BDI-në, duke pretenduar se partia ka lënë përgjysmë shumë çështje me interes kombëtar. Ai gjithashtu ka ngritur dyshime për lidhje mes BDI-së dhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, duke përmendur edhe kryetarin e saj, Darko Kostadinovski.

    Sipas Qokut, vendimi për rrugët në Tetovë tregon se procedurat e nisura nga pushteti lokal i asaj kohe nuk janë përfunduar në mënyrë të rregullt, ndërsa shtoi se koalicioni VLEN do të angazhohet për ta korrigjuar këtë situatë.