Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë janë ndikuar drejtpërdrejt nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, por ka theksuar se ditëve të fundit po vërehet një stabilizim gradual i tyre.
Kusari-Lila ka thënë për EO-në se rritja e çmimeve në Kosovë ka reflektuar rritjen e çmimeve në bursat ndërkombëtare, përderisa mekanizmi i kontrollit përmes marzhës së fitimit ka vazhduar të zbatohet.
“Çmimet në Kosovë kanë qenë drejtpërdrejt të ndikuara nga çmimet e berzës. Për shkak se shumica e furnizimit në Kosovë vjen nga burime të tjera, por për shkak se çmimi në stoqet ndërkombëtare është rritur, reflekton te ne në rritjen e çmimit dhe rrjedhimisht edhe në mekanizmin tonë për kontrollimin e çmimit përmes marzhës së fitimit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, tashmë kanë filluar të shfaqen shenja të rënies së lehtë të çmimeve dhe të stabilizimit të tregut.
“Në bazë ditore po vërehet se po stabilizohet, por duke marrë parasysh se duhet pak kohë për të parë stabilitetin edhe të marrëveshjes së arritur tashmë të publikuar, unë besoj që nëse ajo tregohet brenda disa javëve, me siguri që do të kemi një stabilitet të plotë të çmimit të derivateve edhe në Republikën e Kosovës ashtu sikurse edhe në tërë botën bazuar në vlerën apo çmimin ditor të stoqeve”, ka shtuar ajo.
Duke folur për masat e ndërmarra nga ministria, ajo tha se ka pasur respektim të vendimit për përcaktimin e çmimit në bazë të vlerës mesatare të 10 milionë litrave derivate.
“Mund të them se prej se kemi kaluar në vendosjen e çmimit në bazë të vlerës mesatare të çmimit në 10 milionë litra, ka pasur një respektim në masë të këtij vendimi, në bazë ditore është ditur sa është çmimi i derivateve dhe në bazë ditore është përcjellë në të gjitha pikat. Ky vendim vazhdon të jetë në fuqi deri me datën 4 të muajit të ardhshëm. Do të thotë, me 4 qershor kam nënshkruar vendimin i cili ka afat njëmujor”, tha ajo.
Ministrja në detyrë shtoi se institucionet do të vazhdojnë monitorimin e tregut para se të vendosin nëse masa do të vazhdojë apo do të rikthehet përcaktimi i çmimeve sipas tregut të lirë.

