Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për zbatimin e sistemit One Stop Shop në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Sipas Isenit, ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve, duke mundësuar procedura më të shpejta kufitare dhe reduktim të kohës së pritjes.
“Një lajm i mirë për qytetarët e RMV-së. Sot, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u miratua vendimi për zbatimin e sistemit One Stop Shop edhe me Republikën e Shqipërisë në Qafë Thanë”, ka shkruar Iseni.
Ai theksoi se ky projekt do të sjellë kufij më funksionalë, më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset, si dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve fqinje.
Zbatimi i modelit One Stop Shop pritet të jetë veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët e rajonit të Strugës, Dibrës dhe zonave përreth, si dhe për fluksin e madh të udhëtarëve gjatë sezonit turistik, duke e bërë kalimin kufitar më të shpejtë dhe më efikas.
“Qytetarët në plan të parë”, ka përfunduar mesazhin e tij zëvendësministri Iseni, duke e cilësuar këtë vendim si një tjetër hap drejt afrimit dhe integrimit më të madh mes dy vendeve.


