Kosovë Lajme

Pezullimi i gradimeve në Policinë e Kosovës nga Supremja, ende asnjë reagim nga Sveçla dhe Policia

    Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar dje kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit, duke pezulluar procedurën e gradimit në Policinë e Kosovës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar lidhur me ligjshmërinë e disa dispozitave të Udhëzimit Administrativ për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.

    Me aktvendimin PA.nr.16/2026, Gjykata ka ndaluar zbatimin e nenit 7, paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026, si dhe ka pezulluar konkursin për gradim të shpallur më 28 maj 2026.

    Padia është paraqitur nga zyrtarja policore V.Z. nga Vitia, e cila ka pretenduar se dispozitat e kontestuara cenojnë parimin e meritokracisë dhe trajtimit të barabartë, duke u mundësuar një kategorie të caktuar zyrtarësh policorë të aplikojnë për dy grada më të larta njëherazi, pa iu nënshtruar kufizimeve të zakonshme të gradimit.

    Sipas Gjykatës Supreme, ekziston rreziku i shkaktimit të dëmeve të rënda dhe të pakthyeshme nëse procedura vazhdon para se të shqyrtohet plotësisht ligjshmëria e dispozitave të kontestuara.

    Pavarësisht këtij vendimi, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Policia e Kosovës. Po ashtu, nuk është deklaruar as ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili më herët kishte njoftuar për rifillimin e procesit të gradimeve në Policinë e Kosovës.

    Gjykata ka sqaruar se masa e përkohshme nuk paragjykon vendimin përfundimtar, i cili do të merret pas shqyrtimit të plotë të çështjes në procedurën gjyqësore përkatëse.