Nëntëdhjetë e gjashtë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për rishikimin me prioritet të politikave qeveritare që prekin zonat e mbrojtura, pas zhvillimeve të fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.
Sipas organizatave, shqetësimet e ngritura prej tyre që në vitin 2024, lidhur me ndryshimet në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, po materializohen. Ato argumentojnë se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në shkurt të vitit 2024 kanë krijuar hapësirë për zhvillime që cenojnë integritetin e zonave të mbrojtura, duke përmendur si shembull investimin e planifikuar në zonën qendrore të Pishë–Poro–Nartës.
“Qëndrimi ynë paraqitet si një analizë më e gjerë e vendimmarrjes mjedisore, detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe pasojave afatgjata që sjell lejimi i zhvillimeve të reja turistike në zonat e mbrojtura”, citohet në kërkesën e tyre.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, organizatat kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe pezullimin e lejeve të reja për investime turistike e infrastrukturore në këto zona deri në përfundimin e këtij procesi.
Sipas organizatave, këto kërkesa mbështeten në tre shqetësime kryesore: rrezikun që ndryshimet ligjore paraqesin për zonat e mbrojtura dhe procesin e integrimit në BE; pasojat afatgjata të investimeve në këto zona; si dhe mungesën e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes publike në vendimmarrjen mjedisore.
“Që në vitin 2006, me miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, palët angazhoheshin të zhvillonin bashkëpunimin kundër degradimit mjedisor. Njëzet vite më vonë, zhvillimet e fundit në zonat e mbrojtura tregojnë se vendi ka bërë regres në qeverisjen mjedisore”, thuhet në kërkesë.
Një tjetër pikë e theksuar nga firmëtarët është se zonat e mbrojtura nuk mund të tjetërsohen në heshtje institucionale dhe pa llogaridhënie publike. Sipas tyre, informimi dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor.
“Veprimtaritë në zonat e mbrojtura nuk mund të ushtrohen pa u marrë më parë lejet apo miratimet përkatëse mjedisore”, citohet në reagim.
Citizens.al ka dokumentuar se punimet në Pishë–Poro–Nartë kanë nisur ende pa u miratuar leja e zhvillimit për projektin. Ndërkohë, IKMT ka pohuar se punimet po kryhen mbi bazën e një lejeje të dhënë për “përgatitje” në funksion të ndërtimit.
Duke theksuar se Kuvendi ishte nismëtari dhe miratuesi i ndryshimeve ligjore, organizatat kërkojnë që institucioni të marrë përgjegjësi për adresimin e pasojave të tyre dhe të garantojë që menaxhimi i zonave të mbrojtura të jetë në përputhje me standardet e BE-së dhe parimet e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
Së fundmi, edhe Komiteti i Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC) ka ngritur shqetësime për menaxhimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke theksuar se ndryshimet e fundit ligjore mund të rrezikojnë përafrimin me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës.
Kërkesa e 96 organizatave vjen në një moment kur protestat kundër ndërtimeve në Pishë–Poro–Nartë vijojnë prej ditësh, ndërsa debati për zonat e mbrojtura është kthyer në një nga çështjet kryesore publike në vend.

