Sot, 5 qershor, në Tivat të Malit të Zi do të organizohet samiti i liderëve të BE-së me ata të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje, ka thënë se do të kërkojë trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit.
Në një njoftim të Presidencës është treguar qëndrimi që do të shprehë Haxhiu në samit.
“Në këtë samit, u.d. presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Samiti mbledh udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.
Para samitit, shtetet e rajonit janë vizituar nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Të mërkurën ai ka qëndruar në Prishtinë, ku ka thënë se nëse Kosova përmbush obligimet e saj përkitazi me eurointegrimin, nuk do të ketë probleme nga ana e BE-së.
“Secili problem e ka kohën e vet. Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimit në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate te ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit më s’do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, ka thënë Costa.
Nga vendet e rajonit, vetëm Kosovës BE-ja nuk ia ka dhënë statusin e vendit kandidat. Problem për këtë vendimmarrje shihet fakti që shteti nuk është njohur nga pesë vende anëtare: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Në samitin në Tivat, Kosova do të kërkojë të hiqen pengesat e kësaj natyre.
E, nisjes së samitit i kanë paraprirë tensione mes Malit të Zi dhe Serbisë.
Për shkaqe sigurie, autoritetet malazeze nuk ua kanë lejuar hyrjen në këtë shtet 87 serbëve me precedentë penalë e histori dhune në protestat në Serbi.
Të mërkurën, një ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, ata janë kthyer mbrapsht nga autoritetet malazeze me po të njëjtin aeroplan – atë të kompanisë shtetërore “Air Serbia”.
Si kundërpërgjigje, Serbia ka arrestuar 30 shtetas malazezë në aeroportin e Beogradit dhe ua ka pamundësuar hyrjen shumë të tjerëve përmes pikave kufitare rrugore.
Samiti i së premtes pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike në historinë e Malit të Zi. Në të do të marrin pjesë liderë të lartë evropianë dhe rajonalë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Ndërkohë, në BE është konfirmuar se në samit nuk do të marrë pjesë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për shkaqe shëndetësore.

