Botë Lajme

Von der Leyen: BE-ja do të zbatojë marrëveshjen me SHBA për uljen e tarifave

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian do të respektojë angazhimet e tij pas arritjes së një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për uljen e tarifave doganore mbi eksportet industriale amerikane drejt BE-së.

    Në një postim në platformën X, von der Leyen përshëndeti marrëveshjen duke theksuar se kjo do të mundësojë përmbushjen e pjesës së Bashkimit Evropian në deklaratën e përbashkët BE–SHBA.

    “Unë e mirëpres marrëveshjen e arritur nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli për uljen e tarifave doganore mbi eksportet industriale të SHBA-së në BE. Kjo do të thotë që së shpejti do ta përmbushim pjesën tonë të Deklaratës së Përbashkët BE-SHBA, siç është premtuar. Tani u bëj thirrje bashkëligjvënësve të veprojnë shpejt dhe ta përfundojnë procesin. Së bashku, ne mund të sigurojmë tregti transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme, të balancuar dhe reciprokisht të dobishme”, shkroi von der Leyen.

    Von der Leyen theksoi gjithashtu se marrëveshja është pjesë e një kuadri më të gjerë bashkëpunimi ekonomik mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, me synimin për të forcuar marrëdhëniet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.