Kosovë Lajme

Adelina Tërshani i bashkohet Vetëvendosjes, do të jetë kandidate për deputete

    Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se aktivistja dhe autorja Adelina Tërshani do të jetë kandidate për deputete në listën e këtij subjekti politik për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti ka vlerësuar përvojën dhe angazhimin e Tërshanit në mbrojtjen e të drejtave të grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara, duke theksuar se ajo do të kontribuojë në avancimin e barazisë dhe drejtësisë sociale edhe në Kuvendin e Kosovës.

    “Me kënaqësi njoftojmë bashkimin e Adelina Tërshanit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila do të jetë edhe kandidate për deputete në legjislaturën e ardhshme. Si aktiviste e njohur feministe dhe autore, Adelina sjell një përvojë mbi dhjetëvjeçare në mbrojtje të të drejtave të grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara, duke i bashkuar kauzat sociale me punën konkrete në terren dhe hulumtimin e politikave publike”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka theksuar gjithashtu se Tërshani ka formim akademik në Gazetari dhe Menaxhim të Konflikteve, me studime të kryera në Itali, duke e cilësuar atë si një zë intelektual dhe kritik që pasuron programin e partisë.

    Sipas Kurtit, përmes angazhimit institucional dhe artit si formë rezistence, Tërshani do të vazhdojë betejën për barazi edhe brenda Kuvendit të Kosovës.