Kosovë Lajme

Haxhiu dekreton ligje të reja për banimin, shëndetësinë dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe Republikën e Kosovës.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Haxhiu tha se disa nga ligjet e dekretuara lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme të qytetarëve, duke përfshirë banimin social dhe të përballueshëm, kujdesin shëndetësor, shtetësinë, shërbimet e pagesave, resurset ujore dhe maturën shtetërore.

    Postimi i saj i plotë:

    “Kam dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për republikën.Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme, me banimin social dhe të përballueshëm, kujdesin shëndetësor, shtetësinë, shërbimet e pagesave, resurset ujore dhe maturën shtetërore.Po ashtu, kam dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, ligjin për lojërat mesdhetare “Prishtina 2030″, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim. Ligjet marrin peshë kur shndërrohen në shërbim për qytetarin dhe në forcim të republikës”, ka shkruar ajo.