Botë Lajme

Arabia Saudite dhe Kuvajti hapin bazat për SHBA, rikthehet operacioni në Ngushticën e Hormuzit

    Arabia Saudite dhe Kuvajti kanë hequr kufizimet për përdorimin nga Shtetet e Bashkuara të bazave ushtarake dhe hapësirës ajrore në operacionet rreth Ngushticës së Hormuzit, në një zhvillim që mund të shënojë rikthimin e misionit amerikan për mbrojtjen e transportit tregtar në rajon.

    Sipas raportimit të Wall Street Journal, ky vendim largon një nga pengesat kryesore për rifillimin e operacionit “Project Freedom”, i cili ishte pezulluar vetëm pak kohë pasi kishte nisur.

    Operacioni mbështetej në masë të madhe te infrastruktura ushtarake saudite dhe kuvajtiane, për shkak të pranisë së madhe të aeroplanëve amerikanë që siguronin ankorimin e anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi më herët se ShBA-ja ka krijuar një “kupolë të fuqishme kuqe, bardhë e kaltër” mbi këtë korridor strategjik detar, duke theksuar se shkatërruesit amerikanë janë tashmë në gatishmëri të plotë.

    “Shkatërruesit amerikanë janë në pozicion, të mbështetur nga qindra avionë luftarakë, helikopterë, dronë dhe avionë vëzhgues, duke ofruar mbikëqyrje 24 orë në ditë për anijet tregtare paqësore”, deklaroi ai.

    Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e tregtisë globale të naftës dhe gazit. Tensionet e fundit në rajon kishin ngritur shqetësime serioze për sigurinë e lundrimit dhe stabilitetin e tregjeve energjetike.

    Vendimi i Arabisë Saudite dhe Kuvajtit shihet gjithashtu si një sinjal i ri mbështetjeje për strategjinë amerikane në Gjirin Persik. Ai mund t’i japë administratës së Donald Trump më shumë mundësi ushtarake në rast se negociatat me Iranin dështojnë dhe Uashingtoni vendos të rikthejë sulmet ajrore ndaj objektivave iraniane.