Botë Lajme

Trump: “Operacioni Liria” do të pezullohet

    Donald Trump ka njoftuar se “Project Freedom” (Operacioni Liria) – përpjekja e SHBA-së për të shoqëruar në mënyrë të sigurt anijet përmes Ngushticës së Hormuzit – “do të pezullohet për një periudhë të shkurtër kohe”.

    Presidenti amerikan tha se vendimi është marrë “për të parë nëse” një marrëveshje me Iranin “mund të finalizohet”.

    Ai shtoi se këtë vendim e mori pas “një kërkese nga Pakistani dhe vendeve të tjera”.

    “Bazuar në kërkesën e Pakistanit dhe vendeve të tjera, në suksesin e jashtëzakonshëm ushtarak që kemi arritur gjatë fushatës kundër shtetit të Iranit dhe, gjithashtu, në faktin se është bërë përparim i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit, kemi rënë dakord reciprokisht që, ndërkohë që bllokada do të mbetet plotësisht në fuqi dhe efekt, “Project Freedom” (lëvizja e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit) do të pezullohet për një periudhë të shkurtër kohe për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet”, ka shkruar ai në Truth Social.

    Më herët, u raportua se një anije transporti ishte goditur në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa UKMTO tha se mjeti ishte goditur “nga një predhë e panjohur”.

    Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një armëpushim pa afat të caktuar pas disa javësh lufte.