Shqipëri

Raporti i Parlamentit Evropian: Imuniteti nuk mund të kthehet në mburojë politike

    Në raportin për Shqipërinë për vitin 2025, të miratuar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ngrihet dhe çështja që lidhet me imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

    Raporti që u miratua me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim, nënvizon faktin se si çështja e imunitetit duhet trajtohet strikt në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe procedurat ligjore të përcaktuara, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të pajustifikuara.

    “6 a. Kujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kuadrit kushtetues të projektuar për të garantuar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike; thekson se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret strikt në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe procedurat ligjore të përcaktuara, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të pajustifikuara; (AM 96, 104 EPP, i ngjashëm me AM 119 ECR)”, sqarohet konkretisht në raportin e PE-së.

    Kujtojmë se SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Ballukut për t’i hapur rrugë arrestimit të saj, ndërkohë që mazhoranca me forcën e kartonave e rrezoi kërkesën e paraqitur në Kuvend.