Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në International Migration Review Forum 2026, i cili mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Në një reagim publik, Iseni ka theksuar se migracioni nuk duhet të reduktohet në shifra statistikore, pasi pas çdo numri qëndron një histori njerëzore, me shpresë dhe aspiratë për një të ardhme më të mirë.
Ai ka vlerësuar se forumi përbën një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe qëndrimeve mbi menaxhimin e migracionit, duke e cilësuar këtë fenomen si një ndër sfidat më komplekse të shoqërive moderne.
Sipas tij, institucionet mbeten të përkushtuara për ndërtimin e një sistemi të sigurt, human dhe të qëndrueshëm në trajtimin e migracionit, duke u bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Iseni ka nënvizuar gjithashtu se migracioni nuk duhet parë vetëm si çështje sigurie, por para së gjithash si një realitet njerëzor, ku çdo individ meriton trajtim me dinjitet.
Në këtë kuadër, ai ka theksuar se përkushtimi institucional mbetet i qartë, mbrojtja e qytetarëve duke respektuar njëkohësisht dinjitetin e çdo njeriu.
Gjatë qëndrimit në SHBA, zëvendësministri pritet të zhvillojë takime dhe të ndajë më shumë detaje nga diskutimet dhe aktivitetet kyçe të forumit, me fokus në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për një Evropë më të sigurt dhe një rajon më stabil.

