Kosovë Lajme

Kurti takon Plenkoviqin, theksohet nevoja për forcim të aleancave dhe koordinim politik

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

    Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit thuhet se në takim, u theksuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, siç thuhet, të ndërtuara mbi partneritet të qëndrueshëm, miqësi të sinqertë dhe bashkëpunim të gjithanshëm.

    “Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale në kontinentin evropian dhe përtej tij, si dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta demokratike. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për forcimin e aleancave dhe koordinimit politik në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë”, thuhet në njoftim.

    Kurti thuhet se ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës, siç thuhet, veçanërisht në proceset e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

    Kurti është takuar edhe me kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo.

    “Gjatë takimit u veçua përvoja e Finlandës në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si një model i avancuar i organizimit të shtetit dhe shoqërisë përballë sfidave të sigurisë, model ky që ka miratuar edhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Në përmbyllje, të dy kryeministrat riafirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, është njoftuar nga Zyra e Kryeministrit.