Kosovë Lajme

​KEK nis remontin vjetor të njësisë B2

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se, në përputhje me Bilancin Vjetor Energjetik (BVE), ka filluar zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor njësisë B2 në Termocentralin Kosova B.

    Sipas njoftimit, ky proces është pjesë e planifikimit të rregullt operativ dhe ka për qëllim mirëmbajtjen teknike, rritjen e sigurisë në operim dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë.

    “Ndërkohë, siç është bërë e ditur edhe më herët, njësia B1 e TC Kosova B i është nënshtruar projekteve madhore të modernizimit, përfshirë ndërtimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të cilat kanë filluar në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se pas përfundimit të këtyre investimeve, pritet të rritet ndjeshëm siguria e operimeve, të zgjatet jetëgjatësia e njësisë për rreth 20 vite dhe, mbi të gjitha, të sigurohet funksionimi në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit.