Kosovë Lajme

VV në Gjermani reagon ndaj Klan Kosovës: “Ndalni gjuhën përçarëse ndaj mërgatës”

    Qendra e Lëvizjes Lëvizja VETËVENDOSJE! në Gjermani ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë, gjuhës së urrejtjes dhe narrativave përçarëse që po promovohen ndaj mërgatës shqiptare në disa emisione të Klan Kosova.

    Në reagimin publik, kjo degë e VV-së thekson se nuk është hera e parë që në këtë medium ftohen mysafirë të cilët, sipas tyre, shpërndajnë paragjykime dhe nxisin përçmim ndaj bashkatdhetarëve në diasporë. Ata shtojnë se mërgata po paraqitet në mënyrë të padrejtë si e prapambetur, e paemancipuar apo e manipuluar politikisht.

    Sipas tyre, një qasje e tillë është e papranueshme dhe fyese për qindra mijëra qytetarë që kontribuojnë çdo ditë për Kosovën në aspektin ekonomik, social dhe kombëtar.

    “Çdo tentativë për ta denigruar apo përçarë mërgatën duhet të marrë reagimin e duhur nga shoqëria dhe institucionet,” thuhet në reagim.

    Qendra e VV-së në Gjermani u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës, mediave dhe opinionit publik që të distancohen nga gjuha përçarëse dhe të kontribuojnë në ruajtjen e respektit dhe unitetit kombëtar.

    Në fund, ata kërkojnë debat të përgjegjshëm, etikë mediale dhe respekt të vazhdueshëm për mërgatën shqiptare.