Botë Lajme

SHBA po përgatitet për ndërhyrje tokësore në Iran

    Zyrtarë të Pentagon kanë bërë përgatitje të detajuara për vendosjen e forcave tokësore amerikane në Iran, sipas disa burimeve të informuara mbi diskutimet, raportoi CBS News.

    Komandantë të lartë ushtarakë kanë paraqitur kërkesa specifike për të qenë të gatshëm për një skenar të tillë, ndërsa presidenti Donald Trump po shqyrton opsionet në kuadër të konfliktit SHBA-Izrael me Iranin.

    Sipas burimeve, Trump ka diskutuar mundësinë e pozicionimit të trupave në rajon, megjithëse nuk është e qartë në çfarë rrethanash do të autorizonte përdorimin e tyre.

    I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale, ai u shpreh: “Nuk po dërgoj trupa askund”, por shtoi se nëse do ta bënte, nuk do ta bënte publike.

    Zyrtarët Komandën Qendrore të SHBA-së nuk pranuan të japin detaje, duke ia kaluar komentet Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit.

    Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se përgatitjet janë pjesë e detyrës së Pentagonit për t’i ofruar presidentit sa më shumë opsione, por nuk nënkuptojnë një vendim të marrë.

    SHBA-të po përgatiten të vendosin elementë të Divizionit të 82-të Ajror në rajonin e Lindjes së Mesme.

    Mijëra marinsa janë aktualisht në lëvizje drejt rajonit. Tre anije luftarake me rreth 2,200 marinsa janë nisur nga Kalifornia këtë javë, duke shënuar dislokimin e dytë të tillë që nga fillimi i konfliktit. Njësia e parë, e nisur nga Paqësori, është ende rrugës drejt Lindjes së Mesme.

    Këto lëvizje tregojnë përpjekjet e Pentagonit për të zgjeruar opsionet ushtarake në dispozicion të presidentit, ndërsa zyrtarët vazhdojnë të shmangin komentet mbi hapat e ardhshëm të mundshëm.