Muamed Sejdini, delegat i Kuvendit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), është sanksionuar me ndalim dyvjeçar për ushtrimin e çfarëdo funksioni në futboll, pasi Komisioni Disiplinor i FFM-së konstatoi se ka kryer mashtrim dhe keqpërdorim të autorizimeve.
Vendimi është marrë pas një kallëzimi nga Bordi Drejtues i FFM-së, ndërsa sanksioni bazohet në nenin 84 të Rregullores Disiplinore, që ka të bëjë me “mashtrim dhe vënie në lajthitje të organit të një organizate futbollistike”.
Sipas fakteve të konstatuara, Komisioni për Urgjencë i FFM-së, më 27 nëntor 2024, ka pranuar ofertën e kompanisë “Energoinvest Trade” SHPK Shkup për ndërtimin e një tribune në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër, me vlerë 202.919.610 denarë pa TVSH. Në ofertë nuk kishte kusht për pagesë avansi, ndërsa presidenti i atëhershëm Muamed Sejdini ishte i autorizuar të nënshkruante kontratën vetëm sipas kushteve të pranuara. Vendimi më pas u konfirmua edhe nga Bordi Drejtues i Federatës.
Megjithatë, më 3 dhjetor 2024, Sejdini nënshkroi një kontratë ku ishte futur një kusht shtesë për pagesë avansi prej 20 për qind – kusht që nuk ishte pjesë e ofertës fillestare dhe për të cilin nuk kishte autorizim përkatës. Për më tepër, avansi u pagua pa u siguruar garanci bankare.
Komisioni Disiplinor vlerësoi se me këtë veprim Sejdini e ka vënë në lajthitje Bordin Drejtues të FFM-së dhe i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material Federatës, ndaj i është shqiptuar ndalim dyvjeçar për ushtrimin e çdo funksioni në kuadër të organeve të futbollit.

