Shqipëri

Shqipëria heq ndalimin njëvjeçar të TikTokut

    Qeveria e Shqipërisë ka hequr ndalimin e përkohshëm njëvjeçar për qasjen në platformën TikTok.

    Vendimi është mbështetur nga Këshilli i Ministrave, i cili ka vlerësuar se “çështjet në fushën e sigurisë publike dhe shoqërore në mjedisin digjital tashmë janë adresuar”. Me vendimin e nënshkruar të martën, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është ngarkuar me pezullimin e masave teknike të vendosura më herët, çka do të mundësojë rikthimin e plotë të qasjes në platformë.

    Shqipëria kishte ndaluar TikTokun në mars të vitit 2023, pas vrasjes tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, ku ai u godit me thikë nga një bashkëmoshatar pas një konflikti mes dy grupeve, i cili ishte përshkallëzuar përmes rrjeteve sociale.

    Një muaj pas ngjarjes, qeveria mori vendimin për ndalimin e platformës, ndonëse babai i viktimës dhe vetë kompania TikTok kishin deklaruar se Martin Cani nuk ishte përdorues i kësaj platforme.

    Pas ngjarjes, kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se “rrjetet sociale, veçanërisht TikTok dhe Snapchat, po i tërheqin fëmijët në labirintet e tyre që në moshë shumë të re”.