Kosovë Lajme

Osmani për masakrën e 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë: Drejtësia mbetet kërkesë e pandalshme

    Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, duke e cilësuar si një nga plagët më të rënda të pasluftës.

    Në deklaratën e publikuar nga Zyra e Presidentes në Facebook, thuhet se Osmani ka theksuar se në ato ditë bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1,564 familje me gjithsej 11,364 anëtarë nga shtëpitë e tyre.

    Në deklaratën e saj, Osmani tha se ky ishte krim i hapur kundër njerëzimit dhe një përpjekje brutale për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit.

    “Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, thuhet tutje në deklaratë.