Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar para Kuvendit të partisë që pritet të mbahet të shtunën, duke bërë thirrje për maturi, unitet dhe respektim të proceseve të brendshme partiake.
Mustafa ka thënë se, ndonëse ka pasur kërkesa të shumta nga media për të komentuar zhvillimet aktuale në LDK, ka zgjedhur të mos përfshihet në debate publike rreth rezultatit zgjedhor apo çështjes së dorëheqjeve, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike dhe zgjidhet vetëm në organet vendimmarrëse të partisë.
Sipas tij, deklarimet nga degë, simpatizantë apo individë jashtë strukturave vendimmarrëse e deformojnë demokracinë e brendshme dhe rrezikojnë që Kuvendi të shndërrohet në arenë përçarjesh, gjë që, siç u shpreh ai, LDK-ja nuk e ka kapërcyer ende plotësisht që nga një përvojë e ngjashme para rreth 20 vjetësh.
Mustafa ka theksuar se LDK-ja nuk meriton “epitafe”, duke vlerësuar se partia ka potencial dhe forcë vetërregulluese për t’u ringritur si subjekt i fortë politik dhe faktor balancues në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës. Ai ka nënvizuar se LDK-ja qëndron mbi çdo emër individual dhe se, përveç kryetarit historik Ibrahim Rugova, nuk identifikohet me asnjë figurë të veçantë.
Në prag të Kuvendit, ish-kryetari i LDK-së ka bërë thirrje për rikonfirmimin e vlerave themelore të partisë si subjekt konservator i qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, duke theksuar se beteja politike e LDK-së duhet të jetë ofertë për ndërtimin e një shteti të fortë dhe të qëndrueshëm, e jo “ankand se kush jep më shumë”.
Ai ka shtuar se reformat duhet të udhëhiqen nga njerëz besnikë ndaj LDK-së, të hapur për prurje të reja, duke refuzuar ndarjet mes të vjetërve dhe të rinjve, si dhe duke theksuar se përgjegjësia politike duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike.
“Kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë për rritjen, progresin dhe unitetin e LDK-së, sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt”, ka shkruar Mustafa në Facebook të enjten.
LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025 ka marrë 126 mijë e 133 vota, të cilat ia siguruan 15 ulëse në Kuvend apo pesë deputetë më pak se që pati në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.
Pas kësaj, kryetari Lumir Abdixhiku ka njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe më pas do të jenë kuvendarët që do të vendosin nëse do ta pranojnë këtë apo jo, për çka ka nxitur kritika te disa nga figurat më të njohura të partisë.
Abdixhiku ka ftuar delegatët që të marrin pjesë në Kuvendin e kësaj partie që do të mbahet të shtunën. Derisa ka publikuar ftesën për ta, Abdixhiku ka thënë se do të diskutojnë e vendosin për të gjitha çështjet, me vullnet e votë të lirë.
Kandidaturën për kryetar të LDK-së e ka shpallur ish-kryeministri Avdullah Hoti.

