Kosovë Lajme

Osmani bën “fushatë” në rrjete, shoqëria civile e quan presion mbi partitë

    Në prag të përfundimit të mandatit, presidentja Vjosa Osmani ka rritur aktivitetin në rrjetet sociale, duke promovuar atë që ka bërë për pesë vjet. Ajo në disa raste ka shprehur synimin për të marrë edhe një mandat. E njohës të zhvillimeve politike kanë ngritur nevojën për rregullimin ligjor të bërjes fushatë. Po ashtu aktivitetin e presidentes me video promovuese e kanë quajtur presion mbi partitë
    Në 6 minuta e 50 sekonda, presidentja Vjosa Osmani ka përmbledhur angazhimin e saj në krye të shtetit në pesë vjetët e fundit.

    “Sot, Kosova lëviz më lirshëm. Bashkëpunon më gjerësisht. Respektohet më fort. Kjo është puna e bërë me besimin e qytetarëve tanë, për qytetarët tanë. Dhe kemi ende shumë punë përpara, sepse një rrugë kur ndërtohet me drejtim të qartë, në interes shtetëror dhe me përkushtim të sinqertë, ajo rrugë nuk mund të ndalet në mes, ajo rrugë vazhdon”, dëgjohet duke thënë ajo.

    Gjithë këto, nga njohës të zhvillimeve politike, po konsiderohen nisje e fushatës së presidentes Osmani në drejtim të realizimit të synimit të saj për t`u rizgjedhur edhe për një mandat.

    Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, vlerëson se zhvillimi i një aktiviteti të tillë është i parregulluar e ngrit dilema.

    “Normalisht një gjë e tillë ndonëse nuk është e ndaluar ngrit gjithmonë dilema sa i përket në radhë të parë kohës, por edhe vet idesë se a mund të ketë fushata për president për sa kohë që zgjedhja bëhet nga ana e deputetëve. Një format i tillë i të bërit fushatë ndonëse është i lejuar do të kishte shumë më shumë kuptim nëse Kosova do të aplikonte zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit ku pastaj individët peshojnë garën e tyre”, ka thënë Cakolli.

    Ai thotë se nga fushatat e tilla deputetët mund të vihen në presion në raport me rizgjedhjen apo mosrizgjedhjen e saj, bazuar në promovimin e punës së bërë.

    “Edhe pse ndikimi nuk është i drejtpërdrejtë në ndryshim të mendjes apo marrje të votave sepse gara nuk është në raport me qytetarët por me deputetët, unë besoj që një format i tillë i promovimit dhe i fushatës, nëse mund ta quajmë kështu, mund të ketë ndikim tek orientimet partiake mbi atë se a do të përkrahet zonja Osmani si kandidate për presidente apo jo meqenëse refuzimi i një kandidateje që potencialisht arrin që ta etablojë figurën e saj mbi bazën e këtyre videove dhe mbase dhe jo vetëm këtyre videove, padyshim që mund të ketë te votuesit e atyre partive dhe presionin që ata mund ta ushtrojnë drejt të të zgjedhurve të tyre”, ka deklaruar ai.

    Ndërkaq politologu Melazim Koci vlerëson se presidentja Osmani nuk duhet të shfrytëzojë resurset shtetërore për të zhvilluar fushatën, të cilën e sheh legjitime.

    “Nëse (fushatën) e bën në këtë drejtim, si person, si kandidate e ardhshme, mendoj që nuk ka asgjë të keqe por nuk do të duhej të shfrytëzonte pozicionin e të parës së shtetit për fushatë zgjedhore. Por nëse kjo mbetet si angazhim i saj personal jashtë pozicionit të saj shtetëror nuk shoh diçka kontestuese. Këtë (përdorimin e resurseve shtetërore v.j.) besoj që do të duhej shmangur presidentja në maksimum, jo në maksimum por krejtësisht sepse është shfrytëzim i burimeve shtetërore për diçka tjetër, është e saktë që ajo kandidon për postin e presidentes por kandidimi është një vijë tjetër dhe pozicioni i saj aktual si presidente është diçka tjetër”, ka thënë Koci.

    E hulumtuesi i KDI-së, Cakolli konsideron se zhvillimi i fushatave nga kandidatët për president duhet të rregullohet.

    “Unë besoj që do të duhej në të ardhmen kurdo që diskutohet mbi rregullimin e tillë të përcaktohet modalitetet se a mund të ketë në fakt presidenca si e tillë ndonëse ajo nënkupton individ në radhë të parë video promovuese në fund të mandatit pak para rizgjedhjes dhe në periudhën kur e njëjta po tenton që ta marrë një mandat të ri”, ka thënë ai.

    Osmani është zgjedhur presidente pesë vjet më parë. Mandati i saj përfundon në fillim të muajit prill.
    Ajo në disa raste ka shprehur synimin edhe për një mandat. Madje në një paraqitje ka thënë: “nëse nuk më doni presidente do më keni përballë në zgjedhje”.

    “Në qoftë se [partitë] vendosin që po, do të vazhdojmë me punë të mira për vendin, mbrojtje të interesave të qytetarëve, në qoftë se vendosin që jo, atëherë unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, nëpërmjet angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë besa e shumëçka tjetër”, ka thënë Osmani javë më parë.

    Kryeministri në detyrë dhe lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se fillimisht do të diskutojë me Osmanin e më pas me partitë opozitare.

    Disa prej deputetëve të zgjedhur nga partitë opozitare kanë kundërshtuar idenë e rizgjedhjes së Osmanit, me arsyetimin se gjatë mandatit që po kalon, ishte e anshme.

    Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para duhen 80 vota për, e në raundin e tretë, mjaftojnë 61 vota për me kushtin që në sallë të jenë 80 deputetë.