Sport

Islam Selmani, nënkampion i botës në karate

    Islam Selmani është nënkampion i botës në karate.

    Sukesin e madh, garuesi i ri kosovar e arriti në Kampionatin Botëror që po mbahet në Kajro të Egjiptit.

    Në finale të kategorisë deri 60 kilogramë, Selmani u mposht nga karateisti turk, Eray Shamdan. Në shprehje erdhi përvoja dukshëm më e madhe e turkut, që ndër të tjera ka edhe medalje olimpike nga Tokio 2020.

    Shamdan fitoi me rezultatin 4:0. Realizoi një goditje për “Ippon” e më pas edhe aksion për një pikë.

    Por vendi i dytë në botë është sukses i mahnitshëm për Selmanin dhe karatenë kosovare në përgjithësi. Selmani për trajner e ka Isak Currin.

    Islam Selmani të enjten e kaloi me sukses grupin.

    Në luftën e parë u përball me garuesin nga Venezuela, Jhoisber Chataing. Ndaj tij barazoi me rezultat 3:3. Në luftën e dytë e kishte mposhtur pikërisht turkun Shamdan, me rezultatin 3:1. Ajo fitore i hapi rrugën drejt arritjes deri në luftën e fundit.

    Në luftën e tretë në grup barazoi me Bekzhan Kalykovin e Kirgistanit. Kështu kaloi grupin nga vendi i dytë.

    Kalimin në tetë më të mirët e siguroi duke e mposhtur karateistin nga Rumania, Ehan Tornaci, me rezultatin 6:1.

    Të shtunën mbrëma fitoi 6:3 në çerekfinale ndaj të parit në ranglistën botërore në kategorinë 60 kilogramë, Hiromu Hashimoto të Japonisë.

    Selmani dominoi plotësisht dhe fitoi bindshëm, 9:1, në gjysmëfinale ndaj karateistit të Uzbekistanit, Mekhriddin Turakhonov.

    Dhe të dielën paradite në finale erdhi në shprehje përvoja e gjatë në nivelin elitare e turkut Shamdan. Ai është i treti në ranglistën botërore, ndërsa Selmani i 113-ti. Por me vendin e dytë në botë do të jetë dukshëm më lartë.

    Vetë paraqitja në Botërorin e karatesë në Kajro është sukses. Për Botëror është dashur të fitohet norma. Nga Kosova garuan vetëm tre karateistë dhe Selmani siguroi vend në podium.

    Në të kaluarën karateja kosovare i kishte dy medalje të bronzta botërore. Tani e ka edhe një të argjendtë falë 20-vjeçarit Selmani.