Kosovë Lajme

OVL e UÇK-së me aksion te EULEX-i në 5-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së

    Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur një aksion te zyrat e EULEX, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.

    Dhjetëra pjesëmarrës në këtë aksion janë parë përreth objektit duke e mbajtur një shirit në duar ku shkruhej “Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar”.

    “Sot bëhen 5 vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

    Të mërkurën e 5 nëntorit janë bërë pesë vjet që nga publikimi i aktakuzës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

    Të katër ende mbahen në Hagë në paraburgim nën akuzën për krime lufte, teksa procesi ka kaluar te ekipet mbrojtëse.