Kosovë Lajme

Kosova e vitit 1991 në sytë e Gjermanisë

    Në një kabllogram të Ambasadës Gjermane në Beograd të përgatitur nga diplomati i saj Th. Schmitt, pas një udhëtimi zyrtar në Prishtinë, Kosovë, më 11 e 12 dhjetor 1991, jepen detaje të rëndësishme rreth vizitës së tre diplomatëve evropianë në Kosovë. Pjesa më domethënëse e dokumentit lidhet me takimin e diplomatëve perëndimorë me Ibrahim Rugovën, i cili u paraqet atyre një qëndrim fleksibël për të ardhmen e Kosovës: nëse Jugosllavia mbetej e bashkuar, Kosova duhej të bëhej republikë e barabartë; nëse ajo shpërbëhej, shqiptarët kërkonin shtet të pavarur apo bashkim me Shqipërinë dhe trevat shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni. Rugova nuk e përjashtonte ndarjen e një pjese të veriut të Kosovës, por theksonte se vetëm Leposaviqi kishte shumicë serbe

    Në vitin 1991, Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë por shkonte drejt shpërbërjes përfundimtare. Rënia e Murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë jo vetëm që përshpejtoi tendencat për vetëvendosje ekzistuese dhe tensione nacionaliste ndërmjet tetë njësive përbërëse të Jugosllavisë, por çoi edhe në dhunë të hapur dhe në shkëputje.

    Në këtë proces shpërbërjeje, roli i Gjermanisë së sapobashkuar u bë vendimtar për njohjen e Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnjë Hercegovinës nga BE-ja dhe vendet tjera jashtë kontinentit evropian.
    Hans Dietrich Genscher, ministri i atëhershëm i Gjermanisë, ishte bërë protagonisti kryesor në politikën e Bashkësisë Evropiane, duke imponuar dinamikën e njohjen së shpejt të Sllovenisë dhe Kroacisë, me qëllim që konflikteve të armatosura të nxituara nga Beogradi t’u jepej karakter ndërkombëtar. Prej atëherë filloi të përhapej legjenda se Gjermania përmes njohjes së “nxituar” të Kroacisë dhe Sllovenisë e shkaktoi shpërbërjen e Jugosllavisë.