Kosovë Lajme

Aktakuzë për spiunazh ndaj Hysri Selimit, paguhej nga 700 € në muaj për informatat që ia jepte BIA-s

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Hysri Selimit., për veprën penale “Spiunazh”.

    I pandehuri H.S., thuhet se akuzohet se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.2025, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA.

    Sipas aktakuzës, Selimi, më 22.11.2015 kishte udhëtuar në Siri, duke iu bashkuar organizatës terroriste “ISIS”.

    “Ekziston dyshimi i bazuar mirë se H.S. kishte dërguar informacione te zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ‘ISIS’, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata. Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell informata tjera të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

    Sipas aktakuzës, si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-së e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj.

    Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.