Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka në plan të bëjë bashkimin e shqiptarëve në Ballkan, si faktor stabilizues dhe bashkëpunues në rajon me orientim pro perëndimor, kështu ka thënë ish-diplomati amerikan Johnatan Moore javë më parë.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Bedri Elezi, ka përforcuar deklarimet e ish-diplomatit amerikan, madje sipas ekspertit SHBA planifikon që të ndërtojë një bazë ushtarake në Nish të Serbisë.
Sipas tij, për të ruajtur aleancën me Kosovën është planifikuar të ndërtohet kjo bazë e cila do të bëjë të mundur vendosjen e paqes për një kohë të gjatë në Ballkan.
“SHBA mbetet realisht e angazhuar dhe shumë e interesuar që të ruajë aleancën e saj me Kosovë, të vendosë angazhim të mëtejshëm ushtarak në Kosovë dhe është pikërisht për këtë arsye pse, para 2030 do kemi ndërtimin e një baze ushtarake që do të vendoset në Nish dhe nga ku do garantohet që paqja të vendoset për një kohë të gjatë në Ballkan, se dihet që Serbia ka përdorur bashkëpunimin me Rusinë për të vepruar në këtë zonë dhe pikërisht këtu do të vendoste baza amerikane që do të ketë mundësi të ushtrojë aktivitetin ushtarak brenda territorit të Serbisë”, ka deklaruar Bedri Elezi.
Rreth ndërtimit të mundshëm të kësaj baze, ka folur për “Bota sot”, edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili thotë se ndërtimi i kësaj baze do të ofrojë paqe dhe siguri në tërë rajonin.
Sipas tij, me ndërtimin e saj do të zhdukej domnimi i Rusisë në Ballkan.
“Raportimet se para 2030-s SHBA do ta ndërton bazën ushtarake në Nish natyrisht do të bëjë të mundur vendosjen e paqes për një kohë të gjatë në Ballkan. SHBA me ndërtimin e kësaj baze që ofron paqe dhe siguri në tërë rajonin e largon automatikisht ndikimin dhe dominimin e Rusisë në Ballkan. Tentimi i ashpër i Rusisë për dominim në Ballkan do të zhdukej njëherë e përgjithmonë mendoj unë. Ndërtimi i kësaj baze ndikon në uljen e tensioneve në marrëdhëniet SHBA-Serbi dhe forcimin e mëtutjeshëm të marrwdhënieve SHBA-Kosovë sepse ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, kemi bazën Bonsteel në Kosovë dhe ndërtimi i një baze në një shtet krejt tjetër vetëm forcon paqen dhe ulë tensionet, zhduk dominimin e Rusisë që është shumë me rëndësi në aspektin e sigurisë duke ditur qasjen dhe veprimet negative Ruse në Ballkan”, deklaron Dashevci.